K-GenU: Roli i sektorit privat në krijimin e mundësive për të rinjtë
Më 15 tetor 2026, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) organizoi një tryezë të rrumbullakët në kuadër të programit Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), UNICEF-it në Kosovë, institucioneve të tjera dhe sektorit privat. Në fokus të takimit ishte roli i punëdhënësve në identifikimin e potencialit të të rinjve dhe krijimin e mundësive për përvojën e tyre të parë profesionale.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin dhe shtrirjen e programit, si dhe për rolin e platformës digjitale në lidhjen e të rinjve me mundësitë për punë praktike. U prezantua gjithashtu një analizë krahasuese e kërkesave të punëdhënësve dhe aplikimeve të të rinjve sipas fushave dhe departamenteve, me qëllim vlerësimin e përputhjes ndërmjet nevojave të kompanive dhe interesave të aplikantëve. Vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes së të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk ndjekin arsim apo trajnim (NEET), si dhe të rinjve nga grupet e margjinalizuara.
Përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët e burimeve njerëzore dhe përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje mbi angazhimin e praktikantëve, duke theksuar rëndësinë e orientimit dhe mbështetjes së tyre në hapat e parë profesionalë. Diskutimet nxorën në pah gjithashtu rolin e punës praktike në zhvillimin e aftësive të të rinjve dhe në krijimin e mundësive që kompanitë të identifikojnë talente të reja për angazhim të mundshëm në të ardhmen.
Programi zbatohet në partneritet ndërmjet UNICEF Kosovë, Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim.