Zyra për Çështje të Komuniteteve - Zyra e Kryeministrit
← Back to News
Gëzuar Ditën e Boshnjakëve
News Sep 29, 2026

Gëzuar Ditën e Boshnjakëve

Më 28 shtator 1993, në kushte lufte, rrethimi nga forcat serbe dhe bombardimesh të vazhdueshme, në Sarajevë, Kuvendi Boshnjak mori vendimin historik për rikthimin e emrit kombëtar “Bošnjak” dhe të emërtimit “bosanski jezik” për gjuhën e popullit boshnjak. Andaj, kjo datë ka një rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën boshnjake.

Sot, në Ditën e Boshnjakëve, kujtojmë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së këtij populli mik dhe nderojmë kontributin e komunitetit boshnjak në Republikën tonë, si pjesë e pandashme e historisë, shoqërisë dhe së ardhmes së Kosovës.

Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ndajnë histori të dhimbshme të përballjes me politikat e dhunshme, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, spastrimin etnik dhe gjenocidin e Serbisë dhe regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90. Sikurse në përpjekjet e vazhdueshme për drejtësi, karshi mohimit të krimeve të luftës e gjenocidit dhe mbrojtjes e glorifikimit të kriminelëve nga shteti i Serbisë.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak janë pjesë e institucioneve të Republikës sonë dhe kontribuojnë në vendimmarrjen dhe zhvillimin e vendit tonë. Si Qeveri e vlerësojmë lart dhe shprehim mirënjohjen tonë për bashkëpunimin dhe kontributin e komunitetit boshnjak në zhvillimin e Kosovës, vendit tonë të përbashkët.