Zëvendëskryeministri Damka takoi përfaqësuesit e UNICEF-it në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, zhvilloi sot një takim me zëvendësshefin e UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fisher, dhe specialisten për të drejtat e fëmijëve, Teuta Halimi.
Gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan gjetjet më të fundit të anketës MICS 2025, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen teknike të UNICEF-it. Vëmendje e veçantë iu kushtua të dhënave për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe çështjeve që lidhen me të drejtat e fëmijëve, kushtet e jetesës dhe nevojat e këtyre komuniteteve.
Zëvendëskryeministri Damka theksoi rëndësinë e vlerësimit të nevojave të komuniteteve mbi bazën e të dhënave të besueshme dhe të forcimit të politikave që garantojnë qasje të barabartë të fëmijëve në të drejtat e tyre. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet përkatëse.